Zbuloni 12 yjet që do të luajnë për herë të parë në Kampionatin Botëror

Zbuloni 12 yjet që do të luajnë për herë të parë në Kampionatin Botëror

Kupa e Botës është gjëja më e madhe në kalendarin e futbollit, eventi më i dashur për të gjithë, por ky kompeticion zhvillohet vetëm një herë në katër vjet dhe për të marrë pjesë, nuk është e lehtë. Këta 12 lojtarë janë të gjithë yjet globalë, por “Rusi 2018” do të jetë Kampionati Botëror i parë për ta…

Marco Asensio (Spanjë)

Mesfushori i Real Madrid, Marco Asensio, ka mahnitur me performancat e tij në vitin e fundit dhe ai premton shumë për të ardhmen. Në Rusi do të ketë shansin për të treguar aftësinë e tij në skenën botërore, për herë të parë këtë verë. Ai ishte në skuadrën e “Euro 2016” të Spanjës, por në fund nuk u grumbullua. Megjithatë, tani ai është pjesë e një ekipi, që kërkon të bëjë ndryshime pas dështimit në vitin 2014.

Sadio Mane (Senegal)

Sadio Mane do të shpresojë, se ai mund të përsërisë arritjet e skuadrës në vitin 2002, i cili tronditi planetin duke arritur në çerekfinale të Kupës së Botës. Kombi afrikan ka munguar në këtë fazë që nga ajo kohë, por një brez i ri talentesh të shkëlqyer, prej të cilëve Mane, është gati dhe premton sukses.

Gabriel Jesus (Brazil)

Kur ishte pjesë e Palmeiras dhe vetëm 17 vjeç, Gabriel Jesus ndihmoi të lyente rrugët e Sao Paulos me ngjyrat e Brazilit si pjesë e festimeve përpara fillimit të Kupës së Botës në vitin 2014. Tani 21 vjeç, ylli i Manchester City do të jetë në majë të sulmit dhe tashmë ka pasur shijen e lavdisë, pasi fitoi medaljen e arit në Lojërat Olimpike me Brazilin në vitin 2016.

Kylian Mbappe (Francë)

Tani mban veshur fanellën me nr.10, e cila u bë e famshme për Francën nga Michel Platini dhe Zinedine Zidane. 19-vjeçari Kylian Mbappe do të kërkojë të lërë gjurmë në turneun e tij të parë. Paris Saint-Germain tashmë është i angazhuar për të paguar deri në 180 milionë euro për adoleshentin këtë verë, duke e bërë huazimin e tij të përhershëm. Ai është lojtari i dytë më i shtrenjtë i të gjitha kohërave.

Leroy Sane (Gjermani)

Leroy Sane e ka treguar veten si një nga lojtarët e rinj më premtues në Evropë, pas një fushate të mrekullueshme me Manchester City dhe tani është gati për Kupën e Botës, që do të jetë e para për të. 22-vjeçari provoi shijen e një kompeticioni madhor si një anëtar i skuadrës së Gjermanisë në “Euro 2016”, duke arritur në gjysmëfinale.

Thiago Alcantara (Spanjë)

Thiago Alcantara ka qenë pjesë e kombëtares së Spanjës, që nga viti 2011 kur debutoi kundër Italisë, por vetëm që nga viti 2016, maestro i mesfushës ka qenë një titullar i rregullt. Lojtari i Bayern Munich e ka Kupën e Botës në gjak, pasi babai i tij Mazinho, ka fituar turneun me Brazilin në vitin 1994.

Robert Lewandowski (Poloni)

Robert Lewandowski ka përfaqësuar Poloninë në dy turne, në Kampionatin Europian gjatë karrierës së tij, por në vitin 2018 ekipi kombëtar po përgatitet për Botërorin e parë, që nga viti 2006. Askush nuk ka shënuar më shumë gola në kualifikuese sesa sulmuesi i Bayern Munich, i cili shënoi 16 gola në 10 ndeshje, edhe më shumë se Cristiano Ronaldo, për Portugalinë.

N’Golo Kante (Francë)

N’Golo Kante sapo kishte ndihmuar Caen të ngjitej në elitën e futbollit në Francë në Ligue 1 në kohën kur po zhvillohej Kupa e Botës dhe debutimi i tij për Francën erdhi vetëm në vitin 2016, pasi ishte pjesë e Leicester. Mesfushori luajti në finalet e “Euro 2016” në të njëjtin vit, por u la si zëvendësues i papërdorur për ndeshjen e madhe kundër Portugalisë, të cilën “Les Bleus” e humbi.

Radamel Falcao (Kolumbi)

Më mirë vonë se kurrë, Radamel Falcao është vendosur të bëjë debutimin e tij në Kupën e Botës në moshën 32-vjeçare këtë verë, pas dëmtimit mizor katër vite më parë. Pas dy sezoneve të dështuara në Angli me Manchester United dhe Chelsea-n, tani kolumbiani është kthyer në formën e tij më të mirë për Monaco-n dhe shpreson të kompensojë kohën e humbur.

Philippe Coutinho (Brazil)

Ai debutoi në vitin 2010, por nuk ishte pjesë e skuadrës në Kupën e Botës të zhvilluar në vitin 2014 në Brazil. Philippe Coutinho është tani një anëtar kyç i “Seleçao”. Mesfushori që u ble për 160 milionë euro nga Barcelona është lojtari i tretë më i shtrenjtë në historinë e futbollit.Harry Kane (Angli)

Harry Kane (Angli)

Harry Kane kishte luajtur vetëm 26 ndeshje me ekipin e Tottenham në kohën e Kupës së Botës së fundit. Pas katër vjetësh sulmuesi i talentuar dhe ylli i Anglisë ka shënuar mbi 120 gola për klubin e tij. Ai bëri debutimin e tij me kombëtaren në vitin 2015 dhe tashmë ka shënuar 12 herë në 23 paraqitje për vendin e tij. Tifozët anglezë do të luten, që ai të jetë plotësisht i gatshëm për turneun.

Mohamed Salah (Egjipt)

Sulmuesi i Liverpool-it, Mohamed Salah nuk kishte lindur ende kur Egjipti kualifikohej për Kupën e Botës dhe ishte goli i tij, që vulosi kualifikimin e tyre për në Rusi. Salah është arsyeja pse Egjipti po cilësohet si një ekip, që mund të befasojë në këtë turne pas rikthimit të tij të pabesueshëm në Premier League. Për të arritur në fazën me eliminim direkt, duke përfunduar përpara Rusisë, Arabisë Saudite dhe Uruguajt sigurisht nuk duket e pamundur. /EDS/